Politika e privatësisë
Përditësuar më: 2026-11-12
RITMI është një aplikacion mirëqenieje për ushqimin, lëvizjen, gjumin, stresin dhe ciklin menstrual. Këtu shpjegojmë çfarë të dhënash mbledhim, pse, ku ruhen dhe si i kontrollon ti. Nuk i shesim të dhënat e tua, nuk shfaqim reklama dhe nuk përdorim gjurmues reklamash.
1. Kush jemi
Kontrolluesi i të dhënave: Jehona Murseli, Rruga Ukshin Kovaqica, 10000 Prishtinë, Kosovë.
Për çdo pyetje për privatësinë: hello.ritmi@zoho.com.
2. Çfarë të dhënash mbledhim
Llogaria: email-i, emri që zgjedh, gjuha dhe zona kohore.
Profili: data e lindjes, gjinia (vetëm për llogaritjen e energjisë), gjatësia, pesha, niveli i aktivitetit dhe qëllimet.
Të dhëna shëndetësore (kategori e veçantë, neni 9 GDPR): gjendjet shëndetësore, shtatzënia ose gjidhënia, alergjitë dhe intolerancat, vlerat e analizave që shkruan vetë, check-in-et e humorit, energjisë, stresit dhe cilësisë së gjumit, zgjedhja për një ditë më të lehtë, aktivitetet dhe hapat, dhe ditët e ciklit menstrual.
Ditari i ushqimit dhe ushqimet që krijon vetë.
Pyetjet te Coach (Premium): kontrollohen fillimisht në pajisjen tënde, dhe pyetjet për krizë ose për ilaçe nuk dërgohen askund. Të tjerat, vetëm nëse e lejon ti (pëlqimi i veçantë te Coach, që mund ta heqësh kur të duash), i lexon modeli AI i RITMI-t në serverin tonë në BE (Supabase) vetëm për të gjetur kartën e duhur shkencore. Pa pëlqimin tënd pyetja nuk del nga pajisja dhe Coach përgjigjet me fjalë kyçe. Pyetjet nuk ruhen, nuk regjistrohen dhe nuk përdoren për të trajnuar modele; ruajmë vetëm një numërues pyetjesh për çdo llogari (për kufirin e përdorimit), pa përmbajtje.
Fotot e ushqimit (Premium): analizohen vetëm në telefonin tënd me një model të hapur. Fotoja nuk dërgohet, nuk ruhet dhe nuk del nga pajisja; modeli shkarkohet një herë nga Hugging Face (nuk dërgohet asnjë e dhënë e jotja).
Apple Health / Health Connect: vetëm nëse e lejon ti, RITMI lexon hapat dhe stërvitjet. Nuk shkruan asgjë atje.
Abonimi Premium: statusi dhe data e përfundimit. Të dhënat e kartës nuk i shohim kurrë: i përpunojnë Paddle, Apple ose Google.
Të dhëna teknike: regjistra gabimesh dhe sigurie, pa profilizim.
Të dhëna përdorimi: cilat pjesë të RITMI-t përdor dhe në cilën ditë (p.sh. "hapi listën e blerjeve për 7 ditë"), për të kuptuar çfarë ndihmon. Asnjëherë vlera shëndetësore: as humori, as stresi, as shënimet, as gjendjet. Ruhen te ne (Supabase, BE), nuk u jepen të tretëve dhe nuk përdoren për reklama.
Mesazhet që na dërgon te “Më thuaj çfarë s'ishte e qartë”: teksti, faqja dhe data. I lexon vetëm ekipi i RITMI-t për ta përmirësuar aplikacionin; përfshihen në eksportin tënd dhe fshihen me llogarinë.
3. Pse dhe mbi çfarë baze
Për të të dhënë shërbimin (objektivat, sugjerimet, ditari): kontrata (neni 6(1)(b) GDPR).
Të dhënat shëndetësore: vetëm me pëlqimin tënd të qartë dhe me datë (neni 9(2)(a) GDPR). Mund ta tërheqësh kur të duash te Cilësimet.
Pagesat dhe faturat: kontrata dhe detyrimet ligjore tatimore.
Siguria dhe parandalimi i abuzimit: interes legjitim (neni 6(1)(f) GDPR).
Në web, matjet opsionale të përdorimit për përmirësimin e RITMI-t bëhen vetëm me pëlqimin tënd. Pa zgjedhje ose me “Vetëm të domosdoshmet”, këto matje janë të fikura. Tërheqja e pëlqimit ndalon matjet e reja; mund të kërkosh fshirjen e të dhënave ekzistuese dhe ato fshihen bashkë me llogarinë.
Të dhënat nga Apple Health dhe Health Connect përdoren vetëm për të shfaqur lëvizjen tënde në RITMI. Nuk përdoren për reklama, nuk u jepen të tretëve dhe nuk përdoren për të trajnuar modele.
4. Kush i përpunon për ne
Supabase (databaza dhe hyrja në llogari), me serverë në Bashkimin Evropian.
Netlify (hostimi i faqes ritmi.fit).
Paddle (pagesat në web; Paddle është shitësi zyrtar dhe kontrollues i vetë i të dhënave të pagesës).
Apple App Store dhe Google Play (blerjet në aplikacion), RevenueCat (statusi i abonimit në telefon).
Kur një shërbim ndodhet jashtë BE-së, transferimi bëhet me Klauzolat Standarde Kontraktuale të BE-së ose me EU-US Data Privacy Framework.
5. Sa kohë i ruajmë
Sa kohë e ke llogarinë. Kur e fshin llogarinë, të dhënat fshihen menjëherë nga databaza, dhe nga kopjet rezervë brenda 30 ditëve. Përjashtim: një regjistër sigurie i fshirjeve të llogarive dhe tërheqjeve të pëlqimit (vetëm ID-ja e llogarisë, lloji i ngjarjes dhe koha, pa asnjë të dhënë shëndetësore) ruhet deri në 12 muaj, për të provuar se kërkesa u zbatua dhe për të hetuar incidente.
Faturat i ruajnë Paddle, Apple ose Google aq sa kërkon ligji tatimor.
6. Të drejtat e tua
Në aplikacion, te Cilësimet → Privatësia dhe të dhënat, mund të: shkarkosh të gjitha të dhënat (qasje dhe bartshmëri), tërheqësh pëlqimin për të dhënat shëndetësore dhe fshish llogarinë.
Ke edhe të drejtën për korrigjim, kufizim dhe kundërshtim. Shkruaj te hello.ritmi@zoho.com; përgjigjemi brenda 30 ditëve.
Ke të drejtë të ankohesh te Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës (AIP), ose te autoriteti i mbrojtjes së të dhënave në vendin tënd në BE.
7. Mosha
RITMI është për persona 16 vjeç e lart.
8. Siguria
Lidhjet janë të enkriptuara (HTTPS). Çdo përdorues sheh vetëm të dhënat e veta: kjo zbatohet në databazë (Row Level Security), jo vetëm në aplikacion.
9. Cookies dhe ruajtja në browser
Cookies e hyrjes përdoren për të mbajtur sesionin tënd dhe për të mundësuar hyrjen në faqet e llogarisë. Nëse i bllokon, hyrja dhe disa funksione mund të mos punojnë.
Në browser ruajmë edhe preferenca për udhëzuesin e hyrjes, ushqimet që ke në kuzhinë dhe listën e blerjeve. Kjo ruajtje lokale (localStorage) mbetet derisa ta ndryshosh ose ta pastrosh nga browser-i; nuk përdoret për reklama.
Mund t’i menaxhosh ose fshish cookies dhe të dhënat lokale nga cilësimet e browser-it. Fshirja mund të të nxjerrë nga llogaria dhe të rivendosë preferencat lokale; nuk fshin të dhënat e llogarisë në server.
Nuk përdorim cookies reklamash ose gjurmues reklamash. Zgjedhja për matjet opsionale ruhet në cookie-n ritmi_cookie_consent për 180 ditë. Mund ta ndryshosh kur të duash te “Preferencat për cookies” në fund të faqes ose te Cilësimet. Kur nis pagesën ose hap portalin e saj, Paddle përdor teknologjitë e veta sipas politikës së tij të privatësisë.
10. Ndryshimet
Nëse e ndryshojmë këtë politikë, ta njoftojmë në aplikacion para se ndryshimet të hyjnë në fuqi.
Ligjet: Rregullorja (BE) 2016/679 (GDPR) dhe Ligji Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale i Kosovës.